Në njoftimin zyrtar ku SPAK bën me dije akuzat ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij dhe 6 personave të tjerë, thuhet se hetimet përfshijnë gjithashtu një deputete të Kuvendit të Shqipërisë, me akuza paraprake për 'veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës'.
Deputetja socialiste, njëherësh kryetare e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka është marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Njoftimi i plotë i SPAK për Erion Veliaj ku përmendet dhe deputetja K.B:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal."