Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet e para të zgjedhjeve të 9 Shkurtit 2025, duke numëruar deri tani 89.62% të votave.
Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 310,318 vota ose 41.07%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 168,617 vota ose 22.31%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 132,838 vota, ose 17.58%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mban vendin e katërt me 57,423 vota ose 7.60%.
Lista Serbe ka fituar 3.96 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, shpalli në mesnatë fitoren e zgjedhjeve, megjithatë, sipas rezultateve të deritanishme, partia e tij nuk ka arritur të fitojë një shumicë të mjaftueshme për të formuar një qeveri të vetme. Kurti ka theksuar se do të formojë një koalicion fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor, siç janë “Guxo” dhe “Alternativa” të drejtuara nga Donika Gërvalla e Faton Peci dhe Mimoza Kusari-Lila.
Në anën tjetër, opozita ka dalë kundër mundësisë së një koalicioni me LVV. Lumir Abdixhiku, lideri i LDK-së, ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me LVV, duke e quajtur një marrëveshje të tillë si të papranueshme për partinë e tij. Po ashtu, Ramush Haradinaj i AAK-së është shprehur po ashtu kategorikisht kundër një koalicioni me LVV, duke theksuar se ai nuk do ta mbështeste një qeveri të drejtuar nga Albin Kurtin.
Në një qëndrim më të hapur ka qenë kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka theksuar se nuk ka vija të kuqe në politikë dhe se është i hapur për një koalicion me partitë opozitare. Hamza ka shprehur preferencën për një koalicion me partitë që aktualisht janë në opozitë, duke theksuar se nuk i ka nxjerrë asnjëherë vija të kuqe në politikë.
Ekspertët politikë janë shprehur se nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota, por mund të ketë probleme me Listën Serbe. Nga ana tjetër edhe nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike.
Duhet thënë se këto rezultate të deritanishme janë preliminare dhe nuk përfshijnë ende votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta, ashtu si dhe votat jashtë Kosovës. Rezultatet përfundimtare priten pas numërimit të votave të mbetura dhe mund të sjellin ndryshime në përbërjen e mundshme të koalicioneve qeverisëse në të ardhmen.
Rezultati përfundimtar i votimeve do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit me 120 ulëse, ndërkaq deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.