“Park Lojërash horror te Liqeni i thatë”, prindi denoncon: M’u vra djali përpara syve!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.02.2025, 23:32

Një qytetar nga Tirana ka bërë një denoncim shqetësues pranë redaksisë së JOQ Albania, duke ngritur alarmin për një rrezik serioz në parkun e lojërave te Liqeni i Thatë.

Siç shihet dhe në fotot e dërguara nga denoncuesi, një strukturë në formën e një timoni anijeje përmban hekura të mprehtë, të cilët përbëjnë rrezik të madh për fëmijët që luajnë aty.

Prindi denoncoi se djali i tij u lëndua në fytyrë për shkak të kësaj strukture të rrezikshme. Ai shpreh indinjatën e tij për mungesën e masave të sigurisë dhe kërkon përgjegjësi nga Bashkia e Tiranës për këtë situatë.

“Shyqyr Zotit ishte në faqe, e jo në sy apo t'i ngulej në kokë,” thekson qytetari, duke e konsideruar ngjarjen si një fat të keq që mund të kishte përfunduar edhe më keq.

Në denoncimin e tij, qytetari nënvizon nevojën për inspektim dhe ndërhyrje urgjente në parkun e lojërave, duke kërkuar siguri për fëmijët që frekuentojnë këtë hapësirë publike.

Denoncimi i plotë:

“Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një denoncim, dhe ku më mirë se te ju. Jeni sytë, veshët dhe zëri jonë, sepse çdo derë tjetër na përplaset në fytyrë. Më thoni, nëse keni parë diçka të tillë në një park tjetër lojrash përveçse nëpër filmat më të frikshëm horror! Mu vra djali në faqe, përpara syve. Unë si prind me mendjen e qetë sepse e çoj te lojrat dhe jo në një luftë me tela dhe gjemba. Shyqyr Zotit ishte në faqe, e jo në sy apo t'i ngulej në kokë, se nuk dua as të mendoj më tej… Kush mban përgjegjësi për këtë? A është dikush nga Bashkia përgjegjës që të mbajë mbi supe gabimin fatal të bërë? Çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të veprojmë ne si prindër? Mirë midis lagjeve që na kanë bërë pallate e nuk i nxjerrim dot fëmijët, por dhe një park që kemi, që po trumbetohet e reklamohet me të madhe, dhe atë ta kemi gjysmak??? Parku i lojërave, Liqeni i Thatë.”

Apeli i qytetarit është një thirrje urgjente për siguri dhe ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit