Qendrat e votimit në Kosovë u mbyllën në orën 19:00, duke përmbyllur procesin zgjedhor. Komisionet zgjedhore tani do të nisin numërimin e votave dhe rezultatet paraprake priten të publikohen gjatë mbrëmjes ose në orët e para të mëngjesit.
Bazuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë votuar 583,686 qytetarë, që përfaqëson 29.61% të totalit të votuesve.
Megjithatë, gjatë procesit të votimit nuk kanë munguar as shqetësimet dhe incidentet, ndonëse jo të mëdha. Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), ka raportuar disa shqetësime lidhur me procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare. Një problem i rëndësishëm që është ngritur është fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese nga gishti i votuesve, çka mund të krijojë mundësinë për votim të dyfishtë. DnV ka theksuar se kjo mund të ndikojë negativisht në besimin e publikut dhe integritetin zgjedhor. Gjithashtu, ata kanë nënvizuar se KQZ nuk ka adresuar këtë çështje në konferencat e saj të mëparshme.
Përveç kësaj, DnV ka vërejtur edhe probleme të tjera gjatë procesit zgjedhor, si mosgjetja e emrave të votuesve në listat e votuesve dhe mungesa e asistencës për disa votues që kishin nevojë për ndihmë. Gjithashtu, është raportuar se fenomeni i fotografimit të fletëvotimeve vazhdon të jetë prezent, ndonëse në një shkallë të vogël, me raste të izoluara që kanë ndodhur në 4% të vendvotimeve.
Një tjetër shqetësim ka qenë vendosja e kabinave të votimit. DnV ka kritikuar ndryshimin e vendosjes së kabinave nga KQZ, pasi ato ishin të vendosura në përputhje me rregullat në fillim, por më vonë u kërkua që kabinat të vendosen përballë njëra-tjetrës, që shkel privatësinë e votuesve dhe mund të ndikojë në lirinë e votimit.
Gjatë zgjedhjeve, janë raportuar disa incidente të dhunës dhe fotografimit të votës. Një qytetare serbe u ndalua nga policia në Zveçan për fotografimin e fletëvotimit, pas denoncimit nga një anëtare e komisionit të qendrës së votimit. Ajo u shoqërua në polici, edhe pse tha se kishte fshirë fotografinë. Përveç kësaj, dy persona u arrestuan në Pozheran të Vitisë, nën dyshimin se kanë sulmuar një qytetar pranë një qendre votimi. Dega e LDK në Viti ka akuzuar aktivistët e Vetëvendosjes për këtë sulm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i votimit nga diaspora përmes postës dhe përfaqësive diplomatike. Nga 104,924 votues të regjistruar, 75.54% e atyre që kishin zgjedhur votimin në përfaqësitë diplomatike kanë votuar, duke arritur në 15,352 votues. Po ashtu, janë pranuar 50,226 pako me fletëvotime nga kutitë postare të shtetëve si Gjermani, Zvicër, Turqi, Austri, dhe vende të tjera.
Aktualisht, KQZ po kryen verifikimin e këtyre votave, duke siguruar që ato të përkasin vetëm për votuesit e regjistruar dhe të kenë ndjekur procedurat e parashikuara. Ky proces është një hap i rëndësishëm për të siguruar transparencën dhe vlefshmërinë e votimit nga diaspora.