Një konflikt i ashpër mes disa shtetasve në lagjen nr. 18 të Durrësit ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, ku një nga të përfshirët ka qëlluar në ajër me kallashnikov.
Pas njoftimit, Policia ndërhyri menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe identifikuar autorët, dy prej të cilëve, Hamdi Llana dhe Klajdi Senko, janë larguar dhe janë shpallur në kërkim.
Si rezultat i hetimeve, tre persona të përfshirë në këtë ngjarje janë arrestuar: Gentian Zeneli 48 vjeç për "Moskallëzim të krimit", Spiro Shore 38 vjeç për "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Moskallëzim të krimit", si dhe Jolanda Zeqiri 26 vjeçe për "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Konflikti kishte nisur për motive të dobëta, ku Llana dhe Senko kishin sulmuar fizikisht Gentian Zenelin dhe më pas kishin përdorur armën për ta kanosur.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia po vijon kërkimet për kapjen e personave të shpallur në kërkim.