Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur disa ditë më parë brenda ambienteve të shkollës së mesme "Jordan Misja" në Tiranë, ku një grup adoleshentësh 17-vjeçarë kanë sulmuar dhe dhunuar disa nxënës të shkollës 9-vjeçare "Dora d'Istria".
Ndër viktimat e këtij sulmi ishte një djalë 14-vjeçar, nëna e të cilit ka denoncuar rastin në redaksinë e JOQ Albania, duke kërkuar drejtësi për fëmijën e saj.
Nxënësit e klasës së 9-të kishin shkuar për të vizituar shkollën artistike "Jordan Misja" si pjesë e një tradite për të vendosur mbi vazhdimin e shkollës së mesme. Por vizita mori një kthesë të tmerrshme, kur adoleshentë të po kësaj shkolle nisën një sulm fizik ndaj tyre. Në momentin e incidentit nuk pati asnjë mësues të pranishëm për të parandaluar ngjarjen.
Nëna e të miturit shprehet e dëshpëruar nga indiferenca e institucioneve: "Djali im është ende me shenja në fytyrë dhe trauma psikologjike. Askush nuk është interesuar as të më kërkojë ndjesë. Kur nuk gjej dot të drejtën për fëmijën tim, kush mund ta gjejë?"
Ajo denoncon se masa disiplinore e marrë ndaj dhunuesve ishte një tallje: "Masa që morën? Të pastrojnë ambientin e shkollës! A e kuptoni çfarë bëhet? Kjo është një tallje ndaj fëmijës tim dhe ndaj drejtësisë."
Pavarësisht denoncimit të rastit në Komisariatin nr. 1 të Tiranës, nëna thotë se çështja rrezikon të mbyllet pa u çuar në gjykatë për shkak të moshës së mitur të dhunuesve.
Ajo shprehet gjithashtu e zhgënjyer nga mungesa e reagimit nga shkolla dhe Ministria e Arsimit, pavarësisht emaileve dhe kërkesave të saj për drejtësi: "Asnjë përgjigje nga shkolla, as nga Ministria. Ata thjesht presin që rasti të harrohet. Po këta drejtues që kanë rrënjë të thella në parti, nuk do të kenë frikë për herë tjetër që të ndalojnë dhunën?"
Në fund, ajo ngre një apel të fortë: "Unë jam e sigurt se këtë rast do ta mbyllin, por të paktën të kenë frikë për herë tjetër. Fëmijët tanë meritojnë të jenë të sigurt në shkollat e tyre. Nuk dua që kjo të ndodhë me fëmijë të tjerë"
Ngjarja ngre pikëpyetje të mëdha për sigurinë e nxënësve në shkolla dhe indiferencën e institucioneve që duhet të mbrojnë të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Drejtësia për këtë rast është një domosdoshmëri që duhet të prekë jo vetëm këtë familje, por çdo prind që kërkon siguri për fëmijën e tij.