Një incident i pazakontë ndodhi sot gjatë udhëtimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçić, drejt fshatit Mokrin në Kikinda. RTS raporton se një rrotë e automjetit të tij zyrtar, i blinduar dhe i projektuar posaçërisht për transportin e zyrtarëve, doli papritur nga vendi.
Presidenti Vuçić ndërrroi menjëherë automjetin dhe vazhdoi turin e tij në qarkun Banati Qendror. Fillimisht Vuçić deklaroi gjatë një mitingu në Kikinda se kishte pasur "defekt gome" gjatë rrugës, por më vonë Presidenca e Serbisë konfirmoi për Tanjug se problemi nuk ishte thjesht një gomë, por një rrotë e tërë që kishte dalë nga vendi.
Në një deklaratë për televizionin RTS, Vuçić tha:
"Pas vizitës në Melenci, isha rrugës për në Mokrin përpara mitingut të madh në Kikinda. Një gomë shpërtheu ose diçka tjetër ndodhi. Hetimet do të përcaktojnë saktësisht shkakun. Mbërrita në Mokrin dhe ndërrova automjetin."
Hetuesit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet.