Një vjedhje e ndodhur në shtator të vitit 2024 në një banesë në zonën e Nea Erithrea është zbardhur nga autoritetet greke. Grabitësit kishin arritur të largoheshin me një shumë të konsiderueshme prej rreth 1 milion eurosh, përfshirë shufra ari dhe paund.
Megjithatë, ajo që mbetet ende e mistershme është se shufrat e arit të vjedhura nuk janë gjetur, ndërsa policia po vijon hetimet për lokalizimin e tyre.
Hetimet kanë zbuluar se autorët kishin marrë informacion mbi ekzistencën e kësaj pasurie nga një i afërm i viktimës. Ky i fundit kishte ndarë të dhënat me një 35-vjeçar shqiptar, i cili ishte pjesë e grupit kriminal dhe anëtari i katërt i bandës. Vetëm pak ditë pas grabitjes, ai humbi jetën në një aksident trafiku në Theologos të Fthiotidës. Gjatë kontrollit të policisë në automjetin e tij, u gjet një shumë e madhe parash, e cila dyshohet të ketë qenë pjesa e tij nga vjedhja.
Në kuadër të operacionit, policia ka arrestuar tre shtetas grekë, të cilët, së bashku me bashkëpunëtorin e tyre që mbeti i vdekur, kishin organizuar dhe ekzekutuar vjedhjen. Gjatë kontrolleve, atyre u janë sekuestruar 87,410 euro, shtatë celularë, një detektor metalik, një peshore elektronike precize dhe veshje të përdorura gjatë grabitjes.
Hetimet vijojnë për të zbuluar fatin e shufrave të arit dhe për të identifikuar ndonjë bashkëpunëtor tjetër të mundshëm në këtë krim.