Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të jenë në fokusin e mediave britanike, shpeshherë për çështje që lidhen me emigracionin e paligjshëm apo përfshirjen në aktivitete kriminale. Së fundmi, vëmendja është përqendruar te martesat mes shqiptarëve dhe shtetaseve britanike, kryesisht për shkak të përfitimit të dokumenteve ligjore.
Një rast që ka bërë bujë është ai i Natasha Chambers, një 38-vjeçare britanike, e cila ka ndarë historinë e saj me tabloidin Daily Mail, duke pretenduar se është mashtruar nga një shqiptar që, sipas saj, u martua me të vetëm për të siguruar një vizë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas rrëfimit të saj, martesa e tyre zgjati vetëm një vit pas celebrimit. Ajo shprehet se dëshiron të paralajmërojë gratë e tjera që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla.
“Nuk po them që të gjithë shqiptarët janë njësoj, as që të gjithë emigrantët e paligjshëm veprojnë kështu. Por burri me të cilin isha e martuar dukej sikur dinte saktësisht çfarë të bënte, ai njihte të gjitha truket. Unë isha e dashuruar kokë e këmbë me të, më mbushi me dashuri. Por mbeta e shkatërruar kur martesa përfundoi pas një viti. Me kalimin e kohës, fillova të ndjej se më kishte përdorur. Ai nuk më kishte ndihmuar kurrë financiarisht; përkundrazi, unë e mbaja atë. Ndoshta disa vijnë këtu dhe bien vërtet në dashuri, por në rastin tim, nuk mund ta them me siguri. Thjesht po tregoj përvojën time dhe si më bëri të ndihem”, tha ajo.
Pavarësisht zhgënjimit të saj, Natasha u bëri thirrje njerëzve që të mos gjeneralizojnë dhe të mos mendojnë se “të gjithë shqiptarët i përdorin gratë britanike për dokumente”. Ajo zbuloi se kishte kaluar një periudhë të vështirë kur njohu shqiptarin në një faqe takimesh në dhjetor 2022.
“Ai erdhi me gjithë sharmin e tij dhe u takuam menjëherë. Ishte i gjatë, i pashëm. Pas disa takimesh, u lidhëm dhe ai u zhvendos të jetonte me mua dhe fëmijët e mi. E dija që ai ishte në Britani ilegalisht; ai kishte pesë vite që jetonte këtu dhe punonte në ndërtim me kushëririn e tij”, tregoi Natasha.
Çifti u fejua dhe u martua në gusht 2023, por pas 14 muajsh u ndanë. Burri i saj u deportua më 27 dhjetor.
“Jemi ende në kontakt dhe ai është shumë i zemëruar që ndava historinë tonë në rrjetet sociale. Ligjërisht, jemi ende të martuar, por do të divorcohem sa më shpejt që të mundem”, theksoi ajo.
Pas martesës, Natasha mendoi të kishte një fëmijë me bashkëshortin e saj, por vuri re një ndryshim të menjëhershëm në sjelljen e tij.
“Ai ishte shumë i dashur dhe i kujdesshëm në fillim, ishte fantastik me fëmijët dhe ndihmonte shumë. Por sapo fillova të flas për fëmijë, ai ndryshoi plotësisht. Më vonë kuptova se ai nisi të tregonte interes për një fëmijë vetëm kur pati probleme me marrjen e vizës. Por atëherë ishte tepër vonë, tashmë e kuptova që isha mashtruar”, rrëfeu Natasha.
Megjithatë, ajo theksoi se nuk dëshiron të paraqitet si viktimë dhe as të fajësojë të gjithë emigrantët shqiptarë. “Nuk dua të keqinterpretohem si dikush që i sulmon shqiptarët apo emigrantët e paligjshëm”, përfundoi ajo.