Tre gra tailandeze kanë dëshmuar së fundmi sesi ishin joshur me premtime të rreme për t’u burgosur në një fermë vezësh njerëzore, nga trafikantë të lidhur me klinika ilegale kërkimore.
Trafikantët njerëzorë mbanin më shumë se 100 gra në një fermë vezësh njerëzore në Gjeorgji për të marrë vezët nga trupi i tyre.
Praktika makabre përfshin heqjen e vezëve të grave nga trupi me injeksione anestezie dhe më pas nxjerrjen e tyre me “një makineri”, për llogari të kompanive të padeklaruara kërkimore mjeksore, shkruan rrjeti britanik Metro.
Gratë e varfra tailandeze i ishin përgjigjur një reklame për t’u bërë ‘nëna surrogate’, sipas të cilës do të paguheshin 600 dollarë në muaj dhe do të jetonin me familjen që do të merrte beben.
Por në fakt ato ishin çuar në një shtëpi me rreth 60 apo 70 gra të tjera tailandeze ku i kryheshin procedurat gjymtuese fizike, ndërsa banda sekuestronte pasaportat e tyre dhe i kërcënonte me arrestim nëse largoheshin.
Vezët njerëzore besohet se shiten në tregun e zi ndërkombëtar më pas merren nga klinikat që i përdorin në praktikat e fertilizimit artificial.
Nuk dihet nëse kompanitë mjekësore janë në dijeni të mënyrës sesi përftohen vezët që përdorin në trajtimet e tyre.
Një prej viktimave tha se 10 gra tailandeze ishin sjellë në Gjeorgji nga Dubai dhe nga Armenia.
Një tjetër viktimë tha se ishte lejuar të kthehej në Tailandë pasi kishte paguar trafikantët rreth 2000 dollarë, tha Pavena Hongsakula, drejtuese e bamirësisë tailandeze të grave e fëmijëve.
Ajo shtonte se rreth 100 gra të trafikuara mbeten në Gjeorgji.
257 gra tailandeze llogaritet se kanë rënë viktima të këtyre trafikantëve në 2024, ndërsa fondacioni tha se ka ndihmuar në shpëtimin e 152 prej tyre.