Blegtorët e jugut në protestë: Shteti të mbështesë qumështin vendas

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 08.02.2025, 12:31

Blegtorët e Gjirokastrës dhe Sarandës kanë protestuar sot sërish në vendin e njohur si Ura e Kardhiqit, duke kërkuar politika mbështetëse nga shteti për sektorin e rëndësishëm të ushqimit dhe ekonomisë shqiptare.

Ata shprehen të revoltuar nga ulja e ndjeshme të çmimit të grumbullimit të qumështit nga baxhot e bulmetit, që ka sjellë vështirësi për fermerët dhe rrezikon mbijetesën e këtij sektori jetik.

Blegtorët protestues thonë se baxhot e bylmetit kanë ulur çmimin e grumbullimit të qumështit nga 170 lekë në 130-140 lekë për litër, duke i çuar prodhuesit dhe blegtorët drejt falimentimit.

Blegtorët kërkojnë një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe kanë parashtruar kërkesa për një seri problemesh si vendosjen e një çmimi dysheme për qumështin, dyfishimin e subvencioneve, transparencë në ndarjen e kullotave dhe ndërtimin e veprave ujore që do të shërbejnë për zhvillimin e blegtorisë.

“Shqetësimi ynë është që punojmë natë e ditë dhe kafshët i kemi lënë brenda, por çmimet po ulen nga ora në orë. Kemi dy muaj që japim qumësht dhe nuk kemi marrë lekët që na takojnë. Na kanë ulur çmimet me 30 lekë që nga viti i kaluar. Përfituesit janë disa dhe mijëra blegtorë po vuajnë. Kërkojmë mbështetje dhe drejtësi, sepse më nuk mund të vazhdojmë kështu”, deklaroi një nga protestuesit.

Protestuesit kanë shprehur zhgënjimin e dëshpërimin e tyre, duke kërkuar që shteti të mbrojë interesat e tyre dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të blegtorisë vendase.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit