Vdekja tragjike e 13-vjeçares shqiptare Zenaida Selimai fillimisht u konsiderua si vetëvrasje, por familjarët e saj insistonin se ishte një krim.
14 vjet pas krimit shokues, fqinji shqiptar Adrian Zeko do të dalë para Gjykatës së Pireut i akuzuar për vrasjen e të miturës, e cila u dogj e gjallë në 23 shtator 2011, në shtëpinë e saj.
63-vjeçari akuzohet për vrasje, zjarrvënie me dashje, tentativë përdhunimi dhe joshje të miturish nën 14 vjeç, shkruan rrjeti vendas Protothema.
Vajza u gjet me djegie që i mbulonin 80% të trupit në shkallët e pallatit ku banonte me prindërit dhe vëllain e vogël. Ajo u dërgua në spitalin e Nicës dhe më pas në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia”, por ndërroi jetë pas 13 ditësh nga plagët e rënda.
Fillimisht u dyshua se Zenaida kishte bërë vetëvrasje për shkak të një shënimi të shkruar me dorë nga e mitura e gjetur në shtëpinë e saj. Por hetimet morën kthesë dhe u përqendruan tek rrethi i ngushtë familjar i vajzës, pasi u zbulua se e mitura ishte lyer me lëndë djegëse dhe më pas i ishte vendosur flaka duke përdorur një çakmak.
I akuzuari kishte pranuar se ishte prezent në momentin kur e ndjera po digjej dhe deklaroi se kishte tentuar të shuante flakët.
Ndërsa pas shtrimit në spital, vrasësi shkonte përditë në shtëpinë e vajzë për të pyetur nëse kishte treguar për krimin te policia.
"Ai luante dhe është tallur me ne. Dua që të paguajë për atë që i bëri time bije, dua të dënohet për zhdukjen e buzëqeshjes së time bije”, tha nëna e Zenaidas për rrjetin protothema. gr.