Arlinda Pogaj gostit me 1.2 milionë euro trafikantin e drogës “Gzimi i Kashtës”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.02.2025, 21:47

Një tender me vlerë 1.2 milionë euro për shërbimin e pastrimit të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë ka ngritur dyshime serioze mbi integritetin e procesit të prokurimit publik. Tenderi i organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj, është fituar nga kompania REJ, në pronësi të Luan Kaprit dhe Gzim Salillari, ky i fundit i njohur ndryshe si Gzimi i Kashtës, një emër i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Vlera e shpallur fituese është 101,964,145 lekë pa TVSH ose rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra – një shumë që përbën 75.3% të fondit limit, duke ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën e drejtë të tenderit. Të paktën dy kompani të tjera kanë ofruar çmime më të ulëta se REJ, por pavarësisht kësaj, tenderi i është dhënë subjektit të lidhur me botën e krimit.

Gzim Salillari është një emër i njohur për autoritetet italiane si një trafikant droge i cili, në fund të viteve ’90, kontrabandonte drogë nga porti i Durrësit drejt Barit në Itali. Në vitin 2002, ai u dënua me tetë vjet burg nga një gjykatë në Bari, por më vonë dënimi iu reduktua në katër vjet. Edhe pse u arrestua në Durrës në vitin 2006 me urdhër të Interpolit, ai arriti të shmangte burgun, duke përfituar nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, e cila e shpalli urdhrin e arrestit të paligjshëm për shkak të një problemi procedural në përkthimin e dosjes së tij. Në të njëjtin vit, Salillari përfitoi nga një amnisti e dhënë nga Ministria e Drejtësisë e Italisë.

Fakti që një person me histori arrestimesh dhe lidhje me trafikun e drogës është shpallur fitues i një tenderi publik me vlerë të konsiderueshme shton dyshimet për favorizim dhe paracaktim të fituesit. Mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të hetojnë këtë rast, apo nëse do të vazhdojnë të mbyllin sytë ndaj rasteve flagrante të keqpërdorimit të fondeve publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit