Rreth gjysma e prodhimit të limonave, portokallit dhe mandarinave në Divjakë, kanë mbetur sivjet në pemë, pa u vjelur. Fermerët thonë se nuk kanë treg për shitje, pasi grumbulluesit ua kërkojnë me çmim nën kosto ndërsa qeveria çuditërisht duket se favorizon prodhimet nga jashtë vendit.
Kultivuesit e agrumeve në Divjakë prej disa vitesh raportojnë shfaqjen e problemeve me tregun që po i çon drejt falimentit. Sipërfaqe të tëra të kultivuara kryesisht me limona, por edhe portokall e mandarinë, rreth 50% të prodhimit të tyre, kanë mbetur në pemë pa u vjelur.
Në të tilla kushte fermerët po mendojnë braktisjen e tokës që duket se është dhe qëllimi i vërtetë i drejtuesve në pushtet, që çuditërisht nuk mendojnë për fermerët dhe ushqimin e vendit të tyre, por për të zbatuar urdhrat tregtare absurde të autoriteteve të larta evropiane që kanë shkaktuar protesta në shumë vende evropiane.
“Kam tre dynym limona, të cilat do t’i shkul sepse nuk shiten. Kam 3 ton që nuk shiten. Jam 61 vjeç, fëmijët i kam jashtë, s’kam më para të investoj më këtu. Shteti duhet të marrë masa”, tha fermeri Ali Boçka.
Në këto kushte kultivuesit e agrumeve po kërkojnë alternativa të tjera duke zëvendësuar pemët e agrumeve me ullinj dhe vreshta, pa e ditur nëse në të ardhmen të gjitha kulturat mund të përfshihen nga bllokadat tregtare ndaj prodhuesve.
Ata shikojnë gjithashtu si alternativë mbjelljen e ullinjve dhe dru-frutoreve, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore konsiderohet gjithashtu një telash më vete.
Në familjet fermere shqiptare kanë mbetur kryesisht vetëm moshat e treta që punojnë për të mos i lënë tokat djerrë, teksa të rinjtë joshen nga qytetet, vendet perëndimore dhe kultura hipnotizuese e televizionit, që gjithashtu demonizon kontaktin me natyrën dhe punën me tokën, e cila është fakt ajo nga kemi lindur dhe çka mban njerëzit gjallë.