Shqipëria është një nga vendet me prevalencë të lartë të alkool pirjes në popullatë, ku 14% e personave mbi 15 vjeç konsumojnë mbi normën e lejuar dhe 1.5% janë të varur. OBSH paralajmëron se alkooli rrit rrezikun për 7 lloje kanceri, përfshirë kancerin e gojës dhe gjirit, i cili është bërë shumë i zakonshëm në vendin tonë.
Ekspertët thonë se çdo sasi alkooli është e dëmshme dhe sa më shumë pihet, aq më i madh është rreziku për kancer. Më shumë se 119 mijë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje tumorale të shkaktuara nga alkooli. Studimet tregojnë se ai dëmton ADN-në dhe prish balancën hormonale, gjë që ndikon në zhvillimin e kancerit.
Nuk ka një nivel të sigurt të konsumit të alkoolit, prandaj ekspertët këshillojnë shmangien ose uljen e tij për të mbrojtur shëndetin. Ndërgjegjësimi dhe masat parandaluese mund të ndihmojnë në uljen e konsumit dhe pasojave të tij.