Gardiani që futi 22 celularë dhe doza kokaine në burgun e Fushë Krujës arrestohet

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 07.02.2025, 16:45

Një gardian i burgut të Fushë Krujës është arrestuar pasi ka tentuar të pajisë të burgosurit me 22 aparate celulare, doza kokaine si dhe karikues të tipeve të ndryshme.

Policia dhe kontrolli i brendshëm sekuestruan masën e ekzagjeruar të aparateve të ndaluara që ishin hedhur në tarracën e ndërtesës, me qëllim fshehjen e tyre dhe rrjedhimisht shpërndarjen te të dënuarit dhe të paraburgosurit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë thanë se kanë arrestuar punonjësin e korruptuar dhe po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.

Autoritetet thanë në njoftimin zyrtar:

Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:

– 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje) – 3 doza kokainë – 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone

Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.

Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë për veprat penale 'Futja e sendeve të ndaluara në bashkëpunim' dhe 'Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim'”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit