Presidenti amerikan tha se shumica e parave ka shkuar për të shpërblyer “mediat e lajmeve të rreme dhe për krijimin e lajmeve pozitive për demokratët”.
Radhën e goditjes nga presidenti i ri i SHBA, Donald Trump e kishte mbrëmë agjencia kombëtare amerikane e zhvillimit, e njohur si USAID, për të cilën ai tha ashtu si agjenci të tjera federale, ka shërbyer për vjedhjen e miliarda dollarëve për llogari të administratës demokrate.
"Duket se miliarda dollarë fonde janë vjedhur në USAID, edhe agjenci të tjera shtetërore, në formë shpërblimesh për mediat e lajmeve të rreme apo krijimin e lajmeve vlerësuese për demorkatët”, shtoi Trump në rrjetin Truth Social.
"Ai rrjeti mjeran i majtë 'Politico,' duket se ka marrë rreth $8,000,000. Ndoshta ka marrë dhe New York Times??? Kush tjetër???" tha më tej Trump.
Zhvillimi vjen teksa grupi Reporterët Pa Kufij zbuluan më herët se USAID ka financuar rreth 6,200 gazetarë, 707 grupe mediatike dhe 279 OJQ në rreth 30 vende vetëm në vitin 2023, të cilat i cilësonte si “media të pavarura” ose “informacion i lirë”, por në fakt orientimi i tyre duhet të favorizonte administratën demokrate të SHBA.
Postimi i Trump vjen mes skandalit të hapur mbi financimet qeveritare në grupet e mediave, që po del në dritë që prej kritikave të Elon Musk ndaj mediave të caktuara në SHBA, për pagesa nga institucionet federale, shkruan rrjeti turk Anadolu.
Musk është emëruar nga Trump për të mbikëqyrur efikasitetin e ministrive, prandaj ai ka deklaruar pas hetimeve se administrata e Joe Biden ka financuar rrjete të caktuara të majta, mbështetëse të demorkatëve.
"Ky mund të jetë skandali më i madh, demokratët nuk mund t’i fshihen kësaj, është shumë i madh, shumë i pisët”, shkruante Trump.
Më herët Musk zbuloi në një postim se rrjeti ‘Politico’ ishte financuar me $8.1 milionë nga agjencia e ndihmës ndërkombëtare USAID.
E pyetur për çështjen, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se ishte vënë në dijeni se USAID kishte shpërndarë fonde për mediat në SHBA, përfshirë dhe rrjetin Politico.
"Mund të konfirmoj se 8 milionë dollarë nga taksat e amerikanëve kanë shkuar për si subvencione për Politico dhe kjo do të ndalohet. Grupi ynë po punon për anulimin e pagesave," tha ajo.