Detaje të reja kanë dalë në dritë për vdekjen e Romario Brungës, i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e djeshme në automjetin e tij në Balldren, Lezhë.
Mësohet se 25-vjeçari ka marrë një plumb në ballë dhe në duar ka patur gjurmë plumbi. Nga pozicioni i plumbit, dyshohet se ai nuk mund të jetë qëlluar nga pasagjeri.
Para ngjarjes, ai ka telefonuar shokun e ngushtë dhe i ka thënë "kam një problem shumë të madh" dhe pas kësaj telefonate ai nuk është përgjigjur më.
Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë arritur të fiksojnë Romarion vetëm para ngjarjes, dhe gjetja e një pistolete në makinë ka shtuar dyshimet për mundësinë e një vetëvrasjeje.
Familjarët e tij kanë thënë se nuk ka konstatuar shenja të problemeve emocionale apo depresionit tek i riu.
Romario Brunga punonte si kamerier në zonën e Balldrenit dhe kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja. Ai ishte martuar në gusht të vitit të kaluar, por tragjedia ndodhi vetëm shtatë muaj pas martesës. Shkaqet e vdekjes mbeten ende të paqarta dhe hetimet vazhdojnë.