Një grup shkencëtarësh çekë që eksplorojnë në juglindje të Shqipërisë, kanë njoftuar zbulimit liqenit termal nëntokësor më të madh në botë dhe e kanë quajtur Liqeni Neuron.
Nuk dihen detajet e sakta të ekspeditës dhe informacioneve që ata zotëronin por liqeni shqiptar u emërua sipas fondacionit që financoi ekspeditën.
Shkencëtarët çekë thonë se kanë eksploruar prej vitesh situatën komplekse të nëntokës së luginave të zonave malore kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në rajonin e Vromonerit, (zona e llixhave të Sarandaporit në Leskovik) në anën shqiptare të kufirit, ata zbuluan në një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë eksploruar në detaje.
Sistemi përmbante shumë burime nxehtësie që lëshonin kolona të larta avulli, çka i drejtoi ata të gjenin një humnerë rreth njëqind metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos.
Në fund të humnerës u zbulua liqeni, të cilin ekipi e konfirmoi si liqenin termal nëntokësor më të madh në botë, me gjatësi prej 138 m, gjerësi prej 42 m dhe një perimetër 345 m. Në një krahasim, ata shtonin se “madhësia e liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë”.
Fondacioni Neuron raportohet se i dha ekspeditës gati një milion korona (ose mbi 39 mijë euro), dhe tani liqeni nëntokësor shqiptar ka marrë emrin e tij, për nder të fondacionit.
Richard Bouda, fotograf dhe speleolog, ka përshkruar se si u bë zbulimi i këtij liqeni që në të ardhmen pritet të tërheqë shumë turistë.
“Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë. Falë Fondacionit Neuron, kemi blerë një skaner i cili na lejonte të matim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët të cilët do të matin pjesën nënujore të atij liqeni duke përdorur mjete valore”, tha Bouda.
Teknologjia e fundit e skanimeve GeoSlam është përdorur nga ekipi i shkencëtarëve çek, që ka krijuar modele të sakta të shpellës. Procesi me të cilin është krijuar shpella që përmban liqenin, është gjithashtu e pazakontë. Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik që e kthen vazhdimisht shkëmbin gëlqeror në gips të butë.
Puna e ekipit çek në Shqipëri do të kontribuojë në kuptimin e këtij lloji të rrallë të formimit të shpellave dhe më shumë punë dhe zbulime janë për tu bërë atje, sipas Boudas, i cili shton se ky zbulim mund të kontribuojë gjithashtu në mbrojtjen e të gjithë zonës ku u zbulua liqeni.