Çmimet e ushqimeve të importuara ranë me 7%, por marketet nuk ulën asnjë qindarkë!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.02.2025, 19:18

Pavarësisht se çmimet e ushqimeve të importuara ranë me 7% gjatë vitit 2024, kjo ulje nuk është reflektuar fare në tregun shqiptar. Marketet dhe tregtarët vijojnë të shesin produktet me çmime të larta, duke mbajtur fitime të majme dhe duke rënduar më tej xhepat e konsumatorëve.

Sipas INSTAT, një kilogram nga grupi "ushqim, pije, duhan" kushtoi mesatarisht 120.8 lekë në vitin 2024, nga 129.8 lekë një vit më parë. Kjo rënie e ndjeshme e çmimeve të importit është ndikuar nga forcimi i Lekut ndaj Euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, ndërkohë që importuesit dhe distributorët kanë përfituar, qytetarët shqiptarë nuk kanë parë asnjë ndryshim në çmimet e produkteve bazë.

Në vend që t’i përgjigjen uljes së kostove të importit, tregtarët justifikohen me rritjen e kostove të brendshme dhe pagave të punëtorëve. Ndërkohë, inflacioni për grupin "ushqim, pije, duhan" u rrit me 2.7%, duke e bërë të qartë se rënia e çmimeve të importit nuk ka arritur te konsumatori.

Sipas “Numbeo”, një nga databazat më të mëdha globale për koston e jetesës, Tirana renditet në vendin e 92-të nga 141 qytete europiane për koston e lartë të jetesës. Çmimet e ushqimeve janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë jetesën në kryeqytetin shqiptar më të shtrenjtë se në shumë vende të rajonit. Shqiptarët detyrohen të shpenzojnë mbi 43% të të ardhurave të tyre mujore për ushqime, shumë më tepër se mesatarja europiane.

Ndërkohë që çmimet e importit bien, marketet dhe tregtarët vijojnë të rrisin fitimet në kurriz të konsumatorëve. A do të ndërhyjë qeveria për të ndalur këtë abuzim, apo qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë çmime të fryra për produktet bazë? Për sa kohë tregu nuk rregullohet dhe spekulimi mbetet i pakontrolluar, konsumatorët do të jenë gjithmonë viktimat e një sistemi që favorizon makutërinë e tregtarëve!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit