Një letër e rrallë, e firmosur për mbretëreshën Elizabeth I nga miku dhe ndoshta dashuria e saj e mundshme, Robert Dudley, konti i Leicesterit, është shitur për 40,400 dollarë, një shumë katër herë më e lartë se vlerësimi fillestar.
Dokumenti përmban një referencë enigmatike për një çështje të rëndësishme shtetërore, e cila mbetet e paspecifikuar, por besohet se lidhet drejtpërdrejt me jetën e mbretëreshës. Ka të ngjarë që kjo çështje të ketë pasur lidhje me politikën angleze ndaj Skocisë, veçanërisht pas komplotit të Throckmorton të vitit 1583 – një përpjekje e katolikëve anglezë dhe fuqive kontinentale për të rrëzuar Elizabeth I dhe për ta zëvendësuar atë me Mary Queen of Scots.
Martesa e Dudley-t në vitin 1578 me Lettice Knollys, konteshën e Essex-it, e cila ishte e urryer nga Elizabeth I, besohet se ndikoi në largimin e tij nga oborri. Për këtë arsye, ai u detyrua ta mbante martesën e tij pjesërisht të fshehtë.
Dudley dhe mbretëresha njiheshin që në fëmijëri dhe, megjithëse ai nuk arriti ta bënte për vete për martesë, mbetën miq të afërt deri në fund të jetës së tij.
Dominic Somerville-Brown, specialist për libra dhe dorëshkrime të rralla në "Lyon & Turnbull", e cilësoi këtë letër si një dritare unike në njërën nga historitë më të famshme të dashurisë së asaj kohe.