Pas humbjeve, Shell tërhiqet përfundimisht nga Shqipëria, zhduken ‘miliardat e naftës’ të premtuara nga Rama

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 06.02.2025, 15:34

Gjiganti ndërkombëtar i energjisë Shell ka vendosur të tërhiqet nga kërkimet energjitike në Jug të Shqipërisë dhe po konsideron ndërprerjen përfundimtare aktivitetit në vendin tonë.

Në shifrat për vitin financiar 2023, kompania Shell Albania Block 4 B.V, shprehet se “gjatë muajve të parë të vitit 2024 …drejtimi i Degës ka vlerësuar situatën e operacioneve në Shqipëri dhe bazuar në vendimin e marrë nga menaxhimi, nuk ka asnjë synim për të vazhduar aktivitetin e saj të biznesit për një të ardhme të parashikueshme. Drejtimi vlerëson se likuidimi (mbyllja) e Degës do të fillojë përgjatë vitit 2025”.

Shell Albania Block 4 B.V. është kompania që menaxhon kërkimet në zonën Jugore dhe Juglindore të vendit. Kompania i përfitoi të drejtat e kërkimit në këtë zonë me Vendimin e Këshillit të Ministrave të qershorit 2018.

Asokohe kryeministri Edi Rama trumbetonte për mediat se në pusin e Shpiragut “shpimi ka arritur në 6002 metra thellësi të tokës dhe është prekur rezerva e naftës”.

Rama shtonte gjithashtu se nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është “e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite” dhe se kjo do të sillte miliona dollarë për qeverinë e ndoshta dhe për shqitparët.

Kontrata parashikonte tre periudha eksplorimi që do të zgjasnin për shtatë vite.

Megjithëse në vitin 2022 Shell vendosi të pezullonte kërkimet për një afat kohor prej jo më shumë se dy vjetësh, drejtuesit kanë arritur në vendimin që kompania të mos hyjë në Periudhën e Dytë të Kërkimit dhe të ndërpresë përfundimisht operacionet në Bllokun 4.

Deri në fund të 2023, Shell Albania Block 4 B.V. raportonte në bilanc humbje të akumuluara për rreth 25 milionë euro, kryesisht shpenzime të kryera për kërkim nafte.

Gjithashtu, kompania ka vendosur të zhvlerësojë puset e kërkimit të naftës për një vlerë totale prej më shumë se 500 milionë eurosh.

Zhvlerësimi i këtyre aktiveve ka sjellë një humbje para tatimit në vlerën rekord të 54.8 miliardë lekëve për vitin 2023. Në total, Shell Upstream Albania raportonte në bilanc rreth 108.6 miliardë lekë humbje të akumuluara, që me kursin e sotëm përkthehen në afërsisht 1.1 miliardë euro.

“Drejtuesit nuk e konsiderojnw më Degën si një aktivitet në vijimësi dhe për këtë arsye i ka përgatitur pasqyrat jo në bazë të parimit të vijimësisë” thuhet në shënimet e pasqyrave financiare të Shell Upstream Albania.

Madje, në fund të pasqyrave financiare kompania shprehet se “drejtimi ka pritshmëri të arsyeshme që financimet për përmbushjen e provizionit për çmontim dhe restaurim si dhe për detyrime tregtare dhe të tjera do të sigurohen në të ardhmen nga Shell Treasury në Londër, bazuar në politikën e brendshme të Grupit Shell.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit