Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.L., nga fshati Pleshinë e Ulët të Ferizajt, nën dyshimin për vrasjen e Bekim Varit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 23.01.2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt, i pandehuri F.L., në mënyrë mizore dhe për motive ende të panjohura ka privuar nga jeta viktimën Bekim Vari.
“I njëjti më pas e gropos viktimën në një vend në mal, me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse më datë 05.02.2025 nga disa persona të fshatit Manastirc gjendet trupi i pajetë i viktimës B.V. me të cilën do të kryente veprën penale “Vrasje e rëndë” neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
I pandehuri F.L., që nga data 5 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.