Babai masakroi me thikë të birin, shkak qe konflikti për banesën me motrën e viktimës

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 06.02.2025, 13:34

Krimi i rëndë në familjen Gjoni, ku babai vrau me thikë djalin e tij 41 vjeçar, ka ardhur pasi bija e tij kërkonte pronësinë e banesës ku ai jetonte.

Pas marrjes në pyetje të familjarëve të viktimës dhe autorit të vrasjes, Hekuran Gjoni, policia tha se “mollë sherri” për ngjarjen e rëndë ka qenë motra e 41-vjeçarit, e cila pas divorcit ka kërkuar pronësinë e banesës ku jetonte i ati.

Familja Gjoni jetonte prej shumë vitesh në një banesë tre katëshe private në zonën e Kodrës së Priftit në lindje të Tiranës.

Hekuran Gjoni, babai i tre djemve dhe dy vajzave, pasi i kishte martuar të gjithë fëmijët, e kishte ndarë shtëpinë duke ia dhënë me akt dhurimi çdo kat secilit prej tre djemve të tij.

Por prej një muaji me prindërit jetonte edhe vajza e vogël e Hekuranit e cila ishte divorcuar dhe kishte shkuar të jetonte me prindërit në pjesën e tyre të banesës.

Sinjalet e para të sherrit në familje kishin nisur tre ditë para ngjarjes së rëndë, kur 74-vjeçari kishte nisur t’i kërkonte dokumentet e shtëpisë djemve të tij, por fillimisht Asimi nuk kishte pranuar t’i jepte.

Ndërsa në ditën e tragjedisë në banesë kanë qenë 4 persona, autori Hekurani, nëna e Asimit, motra e tij dhe viktima. Gruaja e Asimit dhe dy fëmijët e tij nuk kanë qenë në banesë. Asimi sapo ishte kthyer nga puna pasi punonte në ndërtim dhe kishte shkuar te prindërit për t’i përshëndetur, të cilët i gjeti me motrën e tij duke ngrënë bukë.

Më pas është hapur sërish debati për pronën dhe gjysmën e pjesës së shtëpisë që e kërkonte motra. Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht, 74-vjeçari Hekuran Gjoni ka marrë thikën e bukës duke vrarë djalin e tij.

Ndërsa motra e vogël e Asimit e cila kërkonte edhe pjesë shtëpie, ditën e ngjarjes ka mbetur e lënduar. Ajo raportohet se ka marrë mjekim në spital dhe më pas është larguar dhe nuk është kthyer më as në banesë, madje nuk ka shkuar as në varrimin e vëllait të saj.

Viktima 41-vjeçari Asim Gjoni kishte filluar që në moshë të vogël të punonte për të ndihmuar familjen që të ndërtonin shtëpinë dhe kishte bërë disa punë dhe së fundmi punonte në ndërtim për të mbajtur familjen, thuhet në raportin e policisë.

Sipas dëshmive të familjarëve dhe të afërmve Asimi nuk ishte njeri konfliktual dhe gjithmonë mundohej të ndihmonte familjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit