Shtyu gruan drejt vetëvrasjes, jepet dënimi për bashkëshortin e Bedrie Lokës

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 06.02.2025, 13:04

Gjykata e Durrësit ka dënuar sot me 10 vjet burg Xhemal Lokën, bashkëshortin e Bedrie Lokës, e cila kreu vetëvrasje si rezultat i dhunës e presionit të autorit.

Gjykata në vendimin e saj thekson se gruaja dhunohej nga bashkëshorti Xhemal Loka, i cili gjithashtu akuzohet se ushtronte dhunë ndaj fëmijëve të çiftit.

Mbi Xhemal Lokën rëndojnë veprat penale “Shkaktim i vetevrasjes” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shperthyese dhe i municionit”.

Bedrie Loka u gjet pa ndenja në shtëpinë e saj mëngjesin e datës 2 janar pasi kishte konsumuar fostoksinë. Ajo ndërroi jetë më pas në ambientet e spitalit ndërsa fillimisht si shkak për ngjarjen u përmend denigrimi që po i bëhej figurës së saj në Tik-Tok.

Për më pas u arrestua bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, i cili sipas dëshmive të fëmijëve e kishte kërcënuar gruan e tij se do ta vriste në sy të fëmijëve sapo të kthehej nga Greqia. Çifti nuk kanë patur marrëdhënie të mira më njëri-tjetrin, pasi Xhemal Loka ushtronte dhunë fizike e psikologjike të vazhdueshme mbi viktimën.

Një procedim i ri penal ka nisur mbi Lokën, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe mbi dy fëmijët e tij.

Njoftimi i Gjykatës së Durrësit:

Pranë kësaj Gjykate është regjistruar çështja penale Nr. 835 Akti, me objekt: “Akuzuar per veprat penale “Shkaktim i vetevrasjes”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve,armeve shperthyese dhe i municionit”dhe “Mbajtja pa leje dhe proidhimi i armeve ,armeve shperthyese dhe i municionit”,parashikuar nga nenet 99,278/4 dhe 278/3 te K.Penal ne ngarkim te pandehurit Xh. L.”

Gjyqtari i çështjes- Sh.Liçaj.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
  3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
  4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
  5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
  9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit