Një faqe interneti që ka shantazhuar dhjetra minorene me imazhe intime, ka shkaktuar shqetësim të gjerë në qytetin e Korçës.
Operatorët e saj faqeje kanë përdorur rrjetet sociale për të marrë informacione e kërcënuar adoleshentët, duke i bindur të dërgojnë foto intime dhe më pas duke i kërcënuar se do t’i publikojnë nëse nuk i binden udhëzimeve të tyre.
Disa vajza që janë prekur nga ky shantazh kanë treguar se kanë kaluar ndër presione të rënda psikologjike, duke përfshirë dhe tentativa për vetëvrasje.
“Kjo faqe është hapur për shumë persona duke i bullizuar, shtantazhuar, me fjalë e taktika të ndryshme. Dua të ankohem sepse jam prekur edhe unë, dua të gjendet personi sepse nuk është rasti i parë që ndodh në Korçë, ata nxjerrin foto të vajzave, që kryejnë marrëdhënie seksuale, merren me djem të ndryshëm. Kam bërë denoncim në polici dhe thanë se janë në kërkim të një personi por nuk është gjetur. Jam kërcënuar, ‘dërgo foto, do të të vij në shtëpi do të të hedh foto’, të të tallin”, tregon një vajzë e prekur nga fushata.
“Është një faqe qe ka hedhur gjithë vajzat e qytetit të Korçës të cilat i ulin, nxjerrin gjëra banale, këtu foto dhe familjen e tyre. Jemi mërzitur sepse shumë vajza kanë tentuar vetëvrasje. Ndihemi të kërcënuara e mërzitura se nuk i kemi bërë vërtet ato, kur dalim me rrugë nuk duam të na i bëjnë me gisht”, shprehet një tjetër.
Dëshmitarët tregojnë se faqja ka shpërndarë foto nudo dhe ka përmendur emra të individëve dhe familjeve të tyre, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim në Korçë.
“Kjo faqe është denigruese dhe shpif. Shkruan, poston foto nudo, imazhe të personave të ndryshëm. Përmend emra mbiemra, me ke rrinë, madje ka nga ato që postojnë familjarët. Është shqetësuese kemi një familje, prindër, kushërinj, ndijehemi të kërcënuara. Aty çfarë nuk hedhin, njoh vajza që kanë dëmtuar veten e tyre duke prerë damarët”, thotë njëra nga vajzat.
Policia e Korçës ka konfirmuar se ky rast është duke u hetuar si një krim kibernetik dhe se janë duke pritur hapa konkretë për të gjetur autorin dhe për ta ndëshkuar atë.