Rikard Andersson, 35-vjeç, është identifikuar si autori i sulmit që ndodhi në një qendër arsimore për të rritur në Suedi, duke lënë 11 të vdekur.
Sipas mediave lokale pranë trupit të tij u gjet një pushkë gjuetie, me të cilën ai ka kryer vetëvrasje. Dyshohet se ai kishte leje për të mbajtur armën.
Andersson, i cili nuk ka punuar që nga viti 2014, njihej si një individ që ka pasur "probleme të mëdha në shkollë". Performanca e tij si student ka qenë gjithashtu problematike, me dyshime se ai kishte dështuar në të gjitha lëndët e semestrit pranveror në vitin e tij të parafundit dhe në vitin e fundit. Në vitet e mëvonshme, ai është regjistruar në një seminar për individët me sindromën Asperger dhe autizëm me funksion të lartë, ku ka ndjekur mësime në histori dhe art. Ai gjithashtu ishte i regjistruar në qendrën e arsimit të të rriturve që sulmoi, ku ndjekte mësime të matematikës, por nuk arriti t’i përfundonte ato.
Andersson nuk ka shërbyer në ushtrinë suedeze, pasi nuk kishte një diplomë të shkollës së mesme.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje për identitetin e viktimave dhe të plagosurve, por sipas zyrtarëve shëndetësorë, tre gra dhe dy burra janë në gjendje kritike, ndërsa një grua tjetër ka marrë lëndime të lehta.
Motivi i sulmit ende nuk është i qartë, por policia ka theksuar se nuk ka pasur lidhje me bandat apo ideologjinë. Ata gjithashtu kanë përjashtuar mundësinë që sulmi të ketë pasur motivacion terrorist. Qendra Risbergska, ku ndodhi sulmi, ofronte kurse për emigrantët dhe për individët mbi 20 vjeç që nuk kishin mbaruar shkollën fillore ose të mesme. Policia ka konfirmuar gjithashtu se armën e përdorur në sulm, e cila mund të ketë qenë një armë gjuetie, ishte e licencuar dhe kishte qenë në pronësi legale të sulmuesit.