Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka shqyrtuar dhe miratuar 61 leje ndërtimi dhe zhvillimi brenda një dite të vetme, më 28 janar 2025.
Tirana mbetet fokusi kryesor i lejeve të ndërtimit, me projekte të shumta për godina banimi në Bulevardin e Ri, Linzë dhe Liqenin e Farkës. Përveç ndërtimeve rezidenciale, janë miratuar edhe leje për disa kulla të reja e po ashtu edhe për resorte dhe fshatra turistikë në zonat bregdetare.
Një nga lejet më të spikatura është ajo për zgjerimin e kapacitetit të depozitimit të mbetjeve të ngurta në landfillin e Tiranës, me subjekt zhvillues kompaninë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. Kjo është e njëjta kompani me të cilën Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto do të ndërtonin inceneratorët, por që sot ndodhet nën pronësinë e shtetit. Inceneratorët, të cilët deri më tani kanë djegur vetëm miliona euro nga buxheti i shtetit, kanë krijuar një krizë të mbetjeve në kryeqytet, duke e bërë të domosdoshëm zgjerimin e landfillit, pasi hapësirat për groposjen e mbeturinave janë drejt ezaurimit.
OLIGARKËT
Në listën e projekteve të miratuara bie në sy edhe leja për ndërtimin e një hoteli nga mjeku i njohur Mentor Petrela. Hoteli është planifikuar të ndërtohet në Rrugën e Barrikadave në Tiranë dhe do të ketë dy kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
Bie në sy leja për shtimin e kullës së Armand Lilos “Syrit të Tiranës”, një kullë që fillimisht ishte projektuar me 24 kate, por pas ndryshimeve të miratuara nga KKT, tashmë do të ndërtohet me 31 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë.
Vendim për përmirësimin e infrastrukturës në zonën turistike Zvërnec – Nartë në një kohë kur është miratuar projekti i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner. Ndërhyrja shtetërore mund të jetë e lidhur me lehtësimin e investimit të tij. Kompania përgjegjëse për zhvillimin e këtij projekti është “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.
Rritja e resorteve turistike përgjatë bregdetit
Në Kepin e Rodonit do të ndërtohet një kompleks turistik me 17 vila individuale dykatëshe, një hotel me dy, tre dhe katër kate, si dhe një parkim dykatësh nëntokësor. Ky projekt do të zhvillohet nga kompania “Doma Co” sh.p.k në pronësi të Selim dhe Dorian Domës, ish JEDA e Bujar Dodës, firma e cila ndërton të bën “dëmin”, ndërteuese e pallateve pa kollona në Durrës të cilat u shembën si të qenë bërë prej muresh kartoni, që nga tërmeti i 17 nëntorit.
Ndërkohë, në Jalë është planifikuar ndërtimi i “Kompleksit turistik, strukturës hoteliere dhe shërbimeve” me emrin “Nukli 2”, nga shoqëria zhvilluese “Soleil and Sea” sh.p.k. zyrtarisht nën pronësinë e kamufluar të Endri Mingollarit dhe Ardit Bajraktarit, por me pronar real Alban Xhillarin i cili ka përftuar një sipërfaqe të lakmuar prej 220 mijë metrash katrorë në Jalë.
Lejet për Durrës Marina
Mes tyre, një set lejesh është akorduar për projektin “Durrës Marina”, duke përfshirë edhe ndërtimin e një hoteli luksoz.
• Infrastruktura e “Marina & Jahtet e Durrësit” – Faza 1
• Objekt banimi dhe shërbimesh me 1, 2, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat parkim nëntokë
• Objekt banimi dhe shërbimesh me 1, 3, 6 dhe 18 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë në parcelën A03
• Strukturë turistike me 1, 7, 9 dhe 11 kate, me 2 kate nëntokë
• Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 7 dhe 9 kate mbi tokë, me parkim nëntokësor
• Miratim për ndryshimin e projektit të “Marina dhe Jahtet e Durrësit, Faza 1, Punime Detare”