Në galaktikën e 'meritokracisë shqiptare', një yll i ri ka nisur të ndriçojë. Bëhet fjalë për socialistin e ri premtues Andon Gjoni nga Lezha, i cili me një fjalim me nuanca kozmike gjatë Kuvendit Kombëtar Rinor të Partisë Socialiste u bë viral duke i dhënë një kuptim të ri termit “univers politik.”
Me një frymëzim astronomik të denjë për NASA-n, ai tha: "Në trurin tim, PS-ja funksionon si një orbitë, si një sistem diellor, si dielli që ka gravitetin dhe sjell planetet. Dhe ne sillemi rreth diellit me gravitet."
Natyrisht, një vizion i tillë gjenial nuk mund të mbetej pa shpërblim. Bashkia e Lezhës ka bërë atë që duket mëse logjike në këtë konstelacion meritash: ka emëruar Andon Gjonin administrator të njësisë Shënkoll.
"Andon Gjoni do të jetë Administratori i ri i Njësisë Shënkoll, duke zëvendësuar në këtë post Ernest Rakajn, i cili do të marrë drejtimin e Sigurimeve Shoqërore," thuhej në njoftimin zyrtar të bërë me dije me madhështi kozmike nga nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Brikena Vuksani.
Kjo është dëshmia e pakundërshtueshme që, në orbitën socialiste, mund të shpërblehesh nëse ke pak brum kozmik në trurin tënd.