Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare që tregon situatën skandaloze në Spitalin Rajonal të Lushnjës.
Ajo ka ndarë shqetësimin për mungesën e përkujdesjes nga ana e mjekëve dhe infermierëve, si dhe kushtet e papranueshme në dhomën e spitalit.
Qytetarja tregon se djali i saj 13-vjeçar u shtrua në spital pas disa ditësh me temperaturë të lartë, ndërsa mjekët fillimisht i dhanë vetëm trajtim për një virozë të zakonshme.
Pas përkeqësimit të gjendjes së tij, ajo u përball me një situatë alarmante: indiferencë totale nga ana e stafit mjekësor dhe një mungesë të plotë informacioni për analizat dhe trajtimin.
Denoncimi i plotë nga qytetarja:
“Përshëndetje, dua të bëj një denoncim në lidhje me Spitalin Rajonal Lushnjë. Ditën e diel djali im 13 vjeç shfaqi disa simptoma të virozës dhe me temperaturë 39. Pas vizitës që i bëri mjeku, më thanë se është thjesht një virozë stine dhe më rekomanduan disa ilaçe që do e kalonte në shtëpi.
Unë ia mora ato që më rekomandoi doktori, por gjendja e djalit nuk u përmirësua aspak, madje çdo ditë kishte temperaturë të lartë. Sot në mëngjes iu ngrit temperatura në 40 dhe menjëherë e solla prapë në spital. Pas vizitës që i bënë, e shtruan dhe i vendosën një serum dhe analizat e gjakut. Na thanë se duhet të presim derisa të dalin analizat.
Unë isha në punë kur im shoq më mori në telefon dhe më tha se kishte shkuar 3-4 herë te zyra e infermiereve për të kërkuar informacion për analizat dhe si të vepronim, por infermieret bënin muhabet me njëra-tjetrën dhe nuk dhanë asnjë përgjigje.
Në atë kohë, sa më lajmëroi im shoq për rastin, u detyrova të lija punën dhe të vija menjëherë në spital. Sapo erdha, shkova direkt te zyra e infermiereve për të kërkuar informacion. Infermieret ishin aq të zëna me njëra-tjetrën sa nuk më jepnin një përgjigje.
Unë u panikosa nga gjendja e djalit dhe u ngrita zërin për të kërkuar informacion për gjendjen e tij dhe analizat. Në atë kohë, jo një, por katër infermiere më hodhën sipër duke ofenduar dhe duke bërë si gangstere.
Shumë herë u mata ta kapja njërën e ta bëja copë e mish për sjelljen e tyre, por u shmanga vetëm sepse ishin femra dhe nuk kishte lezet. Djali im është këtu për t'u bërë mirë, jo për t'u lënë pas dore. Nëse djali nuk më bëhet mirë dhe më lihet pas dore, një nga doktorët ose infermieret do ta bëj shembull në këtë spital.
Ndaj të merren masa për shërbimin dhe sjelljen e tyre, ose ndryshe do t’i marr vetë masat. Nuk kisha mendje ta filmoja rastin sepse isha e habitur nga situata që ndodhi, por kam dëshmitarë pacientët e tjerë që janë në dhomë bashkë me djalin tim.
Kjo është gjendja te Spitali Rajonal i Lushnjes. Presin njerëzit te dera për të marrë një përgjigje nga infermieret dhe mjekët për familjarët e tyre. Jo vetëm që nuk japin zgjidhje apo shërbim, por bëjnë edhe të fortin. Kjo është gjendja me 5 metra katrorë, 9 veta këtu dhe i shëndosh të vish, del i sëmurë!”
Kjo situatë ngre alarmin për kushtet skandaloze dhe mungesën e përkujdesjes mjekësore në këtë spital.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për përmirësimin e situatës në Spitalin Rajonal të Lushnjës dhe të garantojnë një trajtim dinjitoz për pacientët.