Ndërsa qeveria trumbeton sukseset ekonomike, raporti i fundit i Bankës Botërore tregon një realitet krejt ndryshe: varfëria nuk po ulet në Shqipëri dhe pabarazia ekonomike po thellohet. Sipas të dhënave, të ardhurat për frymë në vitin 2023 ishin 8,575 dollarë, ndërsa të ardhurat ditore mesatare për shqiptarët arrinin në 23.5 dollarë, vetëm pak nën standardin e përcaktuar të prosperitetit global prej 25 dollarësh. Megjithatë, një e pesta e popullsisë jeton në varfëri, me më pak se 6.7 dollarë në ditë, duke e bërë Shqipërinë vendin me shkallën më të lartë të varfërisë në rajon.
Pse po ndodh kjo? Sepse rritja ekonomike, sado e madhe të jetë, nuk shpërndahet në mënyrë të drejtë. Të pasurit po bëhen më të pasur, ndërsa shtresa e mesme po tkurret dhe të varfrit po zhytën edhe më thellë në krizë. Qeveria vazhdon të mburret me rritjen e PBB-së, por në të njëjtën kohë ka dështuar të krijojë mekanizma efektivë për të siguruar që zhvillimi ekonomik t’i përfitojnë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm një grup i vogël oligarkësh.
Shqipëria ka një potencial të pashfrytëzuar të kapitalit njerëzor, por politika ekonomike e qeverisë nuk e ndihmon këtë zhvillim. Migrimi masiv, nënshfrytëzimi i talenteve dhe mungesa e një strategjie për përfshirjen e grave në tregun e punës po pengojnë rritjen ekonomike afatgjatë. Sipas Bankës Botërore, vetëm mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rriste PBB-në për frymë me 12%, por kjo mbetet një tjetër premtim bosh nga politika.
Është e qartë se qeveria ka dështuar të adresojë pabarazinë ekonomike dhe të krijojë politika të qëndrueshme për rritjen e mirëqenies së popullit. Rritja ekonomike nuk ka asnjë vlerë kur vetëm një pakicë përfiton, ndërsa shumica e qytetarëve lufton për të mbijetuar. Është koha për një ndryshim të vërtetë, për politika që nuk mbushin vetëm xhepat e një grushti njerëzish, por garantojnë një zhvillim të drejtë për të gjithë shqiptarët.