Përfaqësuesi i qeverisë së Kremlinit ka dhënë një paralajmërim për presidentin e SHBA në lidhje me një propozim të fundit të tij për ndihma ushtarake ndaj Ukrainës.
Dmitry Peskov dënoi propozimin e Donald Trump i cili tha dje se do të dërgonte ndihma ushtarake për Ukrainën në këmbim të të drejtave për gërmimin e mineraleve të çmuara.
"Ne i themi gjërat ashtu siç janë, ky është një propozim për të blerë ndihmat, ose në fjalë të tjera, për t’i dhënë ato jo në mënyrë të pakushtëzuar por mbi kushte komerciale”, tha zëdhënësi qeveritar.
"Do të ishte më mirë që kjo asistencë të mos jepej fare, pasi kjo do të kontribuonte në mbylljen e konfliktit”, shtoi ai për luftën e nisur nga Rusia.
Dje Trump tha se “po kërkonte një marrëveshje për Ukrainën”, sipas të cilës SHBA të jepte ndihmë ushtarake në këmbim të metaleve të çmuara të Ukrainës, sipas rrjetit Politico.
"Ne po investojmë miliarda dollarë, ata kanë minerale të rralla, dhe ne duam sigurinë për këto metale të rralla”, tha Trump në Uashington, duke shtuar se Ukraina “dëshiron ta bëjë këtë”.
Ukraina raportohet se ka rezerva strategjike titani, litiumi, grafiti uraniumi, disa prej të cilave në zonat lindore të aneksuara tashmë nga Rusia, në të cilat konflikti me Kievin ka nisur prej 2014 kur ndryshoi pushteti në Ukrainë nga pro-rus në pro-BE.
Ukraina nuk ka komentuar mbi propozimet e Trump por Zelenski raportohet se ka deklaruar se “ndarja e burimeve me aleatët” është pjesë e planit të luftës me Rusinë, shkruan Politico.
Gjermani e quante dje propozimin “egoist” duke argumentuar se vendi ka nevojë për burimet e tij për rindërtimin pas luftës.