Një investigim i fundit zbulon se pronarë perëndimorë anijesh kanë fituar miliarda duke shitur çisternat e tyre te Rusia, duke ndihmuar që ajo t’i shmanget sanksioneve të Bashkimit Evropian për të mbajtur në funksion ekonominë e saj.
Raporti i publikuar rrjetit investigavit holandez ‘Follow the Money’ (FTM), ekspozon situatën absurde ku kompanitë perëndimore kanë fituar rreth 6 miliardë dollarë nga shitjet, por ngre dyshime mbi objektivin e vërtetë të sanksioneve që ishte dobësimi dhe jo fuqizimi i ekonomisë së Rusisë.
Megjithë armiqësinë në dukje të BE e SHBA dhe sanksionet ndaj Rusisë, më shumë se një e treta e çisternave ruse të naftës janë me origjinë perëndimore, ose ndryshe 230 të tilla nga Evropa e SHBA.
Kompania belge e anijeve CMB Tech (më parë e quajtur Euronav), ka fituar $135 milionë nga shitjet drejt Rusisë, ndërsa edhe kompani shtetërore greke kanë përfituar shitje të majme gjatë kohës së sanksioneve.
Industria e anijeve përfaqëson 8 përqind të GDP së Greqisë dhe ashtu si vende të tjera detare si Malta e Qipro kundërshtuan asokohe kufizimet.
Dhe në fakt numri më i madh i anijeve ruse me origjinë perëndimore vjen nga Greqia, rreth 55 %.
Në një tjetër absurditet të politikave ndërkombëtare, përveç anijeve perëndimore për Rusinë, rrjeti investigativ thotë se agjenci evropiane e ukrainase furnizonin ekuipazhet e çisternave, për të fuqizuar tregtinë e naftës ruse.
Shumë kompani nga BE shfrytëzonin boshllëqe ligjore duke i shitur anijet e tyre ndërmjetësve në Indi, Vietnam apo në ishujt Sejchelles dhe më pas te Rusia, shkruan rrjeti investigativ.
“Flota e fshehtë e Rusisë arriti të anashkalojë gjithashtu tavanet e çmimit të naftës të vendosura nga G7+ çka reduktoi edhe më tepër forcën e sanksioneve të vendosura,” shkruajnë autorët, sipas BrusselSignal.
Çisternat e shitura gjithashtu kanë dëmtuar mjedisin pasi ishin në gjendje të vjetëruar e pa mirëmbajtje, duke shtuat rrezikun e aksidenteve, rrjedhjeve të naftës dhe katastrofave mjedisore.