Një tender me vlerë gati të barabartë me fondin limit ka shpallur fituese kompaninë ELEKTROSEK, në pronësi të Ilir Mane, për shërbimin e mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë dhe platformës së monitorimit të Postës Shqiptare sh.a., e drejtuar nga Ardit Demiri.
Kontrata, me numër reference REF-34170-12-20-2024, u zhvillua me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar, por rezultatet e saj ngrejnë dyshime të forta për mungesë konkurrence dhe manipulim. Vlera fituese e shpallur është 38,888,888.00 lekë të reja pa TVSH (afro 470 milionë lekë të vjetra me TVSH), që përkon me 99.36% të fondit limit prej 39,139,600.00 lekë të reja pa TVSH.
Një diferencë kaq e vogël midis vlerës fituese dhe fondit limit krijon dyshime të forta se tenderi mund të ketë qenë i paracaktuar. Më tej, analiza e dokumentacionit të tenderit tregon se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ku njëra prej tyre nuk ka paraqitur asnjë ofertë financiare. Kjo e bën të qartë se kemi të bëjmë me mungesë reale konkurrence, duke favorizuar qartë ELEKTROSEK-un si fitues të paracaktuar.
Ky rast shton listën e skandaleve me tenderat publikë në Postën Shqiptare, ku drejtuesit vazhdojnë të shpërndajnë kontrata shumë milionëshe për kompanitë e preferuara, duke shmangur transparencën dhe konkurrencën e ndershme. A do të ketë ndërhyrje nga institucionet për ta hetuar këtë skemë?