Banorët e fshatit Zëmblak, pjesë e Bashkisë Maliq, kanë bërë një denoncim në redaksinë e JOQ Albania, ku akuzojnë kryebashkiakun Gëzim Topçiu për braktisje totale të fshatit dhe diskriminim politik. Topçiu, që mban këtë post prej më shumë se 25 vitesh, akuzohet prej tyre se e ka kthyer institucionin në 'pronë private të klanit të tij politik'.
Denoncimi vjen pas një tjetër rasti të publikuar mbrëmë nga JOQ Albania, ku banorët e fshatit Novoselë denoncuan se ishin detyruar të shtronin rrugën me paratë e tyre, pasi Bashkia Maliq nuk kishte bërë asnjë investim për infrastrukturën. Ky rast shton akuzat ndaj kryebashkiakut Topçiu për neglizhencë të qëllimshme ndaj fshatrave të bashkisë.
Sipas banorëve të Zemblakut, rrugët e fshatit janë në gjendje të mjerueshme, plot gropa, baltë dhe pluhur, ndërsa ndriçimi mungon në shumicën e lagjeve. Por akuzat nuk ndalen me kaq: ata pretendojnë se rrugët dhe lagjet ku jetojnë familje me lidhje politike me partinë në pushtet janë shtruar e ndriçuar, ndërsa të banuara nga familje familje të me bindje politike të djathta janë lënë në baltë.
"Ku shkojnë taksat tona? Ato janë vetëm për njerëzit e partisë?" – shprehen të revoltuar banorët, të cilët ndihen të tradhtuar nga një sistem që prej 25 vitesh i ka lënë në harresë.
Banorët e Zemblakut kërkojnë barazi dhe investime të ndershme në infrastrukturë, duke bërë thirrje për llogaridhënie nga drejtuesit e Bashkisë Maliq dhe fundin e politikave diskriminuese që përçajnë komunitetin.