Liderët europianë paralajmëruan të hënën se një luftë tregtare me SHBA-në do të destabilizonte ekonomitë në të dy anët e Atlantikut. Paralajmërimi erdhi pasi Presidenti Trump rriti presionet për vendosjen e tarifave ndaj Bashkimit Europian.
Pas vendimeve për tarifa prej 25% ndaj importeve nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe 10% ndaj importeve nga Kina, paralajmërimet ndaj BE-së duket se po bëhen më konkrete. Trump deklaroi për BBC se tarifat ndaj Europës "do të ndodhin me siguri" dhe "shumë shpejt".
BE-ja ka qenë në gatishmëri për muaj me radhë, duke krijuar një "task forcë Trump" për të hartuar skenarë dhe përgjigje të mundshme. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Europa duhet të japë një "përgjigje kolektive dhe të fortë" nëse SHBA vendos tarifa të ashpra.
Nga ana tjetër, Kaja Kallas, diplomate e lartë e BE-së, nënvizoi se SHBA mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Europës, por paralajmëroi se nuk ka fitues në luftërat tregtare. "Nëse ndodh një luftë tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, i vetmi që do të qeshë anash është Kina," tha ajo.
Ministrat europianë të tregtisë pritet të diskutojnë marrëdhëniet me Uashingtonin në një takim në Varshavë, ku do të përcaktohen parimet që duhet të udhëheqin përgjigjen e Europës ndaj ndryshimeve në politikat tregtare amerikane.