Në takimin e djeshëm të drejtuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, drejtori i Kërkimeve të Institutit Gjeodinamik të Athinës, Thanasis Ganas, bëri një vlerësim të situatës sizmike në Santorini, duke paralajmëruar dy skenarë të mundshëm.
Sipas tij, zhvillimet e ardhshme mund të ndjekin njërën nga dy rrugët: një seri pasgoditjesh me magnitudë nga 4.5 deri në 4.7, ose një lëkundje më e fortë që mund të shkaktojë cunami dhe një shpërthim vullkanik. "Ose do të kemi një seri pasgoditjesh me magnitudë deri në 4.7, ose një dridhje më të madhe që mund të shkaktojë një cunam dhe një shpërthim vullkanik. Po përgatitemi për këta skenarë," deklaroi Ganas.
Deri më tani, janë regjistruar mijëra lëkundje të vogla, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 12 tërmete me magnitudë mbi 4. Edhe pse një tërmet mbi magnitudën 6 nuk pritet, Ganas paralajmëroi se një lëkundje mes 5 dhe 6 mund të sjellë pasoja të tjera, si rrëshqitje dhe cunami.
Ai theksoi se nuk është e mundur të parashikohet me saktësi një shpërthim vullkanik, por i inkurajoi banorët të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Sipas tij, masat për të përballuar çdo skenar janë tashmë në proces.