Masa e ndalimit të praktikimit ndaj Barbara O’Neill i shkaktoi fillimisht trishtim doktoreshës kristiane australiane, por gjatë izolimit të kohës së pandemisë leksionet e saj në internet i sollën miliona mbështetës në të gjithë botën.
Tashmë me famën e re O’Neill thotë se kalon vetëm dy muaj të vitit në shtëpi dhe pjesën tjetër duke udhëtuar për të dhënë leksionet e saj të mjekësisë popullore në të gjithë botën.
Zyrtarët e shëndetësisë në Australi e ndaluan atë kur Barbara nxiste pacientët me kancer të refuzojnë trajtimet e radiacionit e kemioterapisë, ndërsa nënat e sëmura ajo i rekomandon të mos marrin anti-biotikë.
O’Neill tashmë drejton një kompleks shërimi alternativ në SHBA të quajtur Living Springs Retreat, ndërsa leksionet dhe librat e shërimeve të saj bimore e minerale, kanë miliona shikime në të gjithë botën.
Në këshillat e dietës dhe shërimeve bimore në faqen e saj të internetit O’Neill përmend përdorimin e shërimeve me ane të të hudhrave, të qepës, piperit të kuq, xhenxhefilit, vajit të rigonit apo vajit të kastorit, duke refuzuar mjekimet e shitura në farmaci pasi sipas fjalëve të Biblës, “Zoti ka krijuar barishtet për të shëruar njeriun”, dhe se kurat bimore nuk kanë efektet e rënda anësore të atyre të farmacuetikës.
Në leksionet e saj 70-vjeçarja O’Neill është akuzuar se nuk ka dhënë prova për deklaratat e një doktori se 90% e pacientëve me kancer u shëruan me injeksione ose konsum oral të sodës së bukës.
Por ajo thotë se eksperiencën e merr nga libra të doktorëve të ndershëm dhe se vetëm i jep “informacionin” pacientëve që i kanë kërkuar ndihmë, qe ata te zgjedhin vete trajtimin qe marrin.
O’Neill, e cila është anëtare e Kishës Adventiste australiane thotë se trupi i përkryer i njeriut të Zotit e shëron vetë veten nëse i jep kushtet e duhura (nëse nuk e helmon), ndërsa shton se misioni për të përhapur dijet e saj është përcaktuar nga “një forcë madhore, prandaj nuk do të ndalojë deri në frymën e fundit”.