Treguesi i besimit në ekonomi nis vitin 2025 me rënie

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 03.02.2025, 16:04

Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 0.8 pikë në janar, duke shënuar rënie për të dytin muaj radhazi. Megjithatë, niveli i tij mbetet rreth 6 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rënia e TNE-së u ndikua nga ulja e besimit në të gjithë sektorët, përveç shërbimeve. Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) u rrit me 4.4 pikë përqindje dhe qëndron 13 pikë mbi mesataren historike, falë vlerësimeve pozitive për aktivitetin aktual dhe kërkesën, si dhe pritjeve të larta për punësim.

Në industrinë përpunuese, Treguesi i Besimit në Industri (TBI) ra me 4.7 pikë përqindje, vijues i një tendence ngadalësimi që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar. Kjo rënie lidhet me vlerësimet pesimiste për kontratat porositëse, veçanërisht nga eksportet, ndërsa pritjet për çmimet kanë pësuar një rënie të lehtë.

Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) ra me 4.1 pikë përqindje, ndikuar nga rishikimi në ulje i vlerësimeve për aktivitetin aktual ndërtues. Megjithatë, pritjet për punësimin dhe çmimet në të ardhmen u rritën.

Edhe Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) shënoi rënie me 2.9 pikë përqindje, kryesisht për shkak të vlerësimeve më pesimiste për ecurinë e biznesit, ndërsa pritjet për punësim dhe çmime janë rritur.

Ndërkohë, Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) ra me 3 pikë përqindje, duke u ulur nën mesataren historike për herë të parë që nga qershori 2024. Rënia reflekton pritjet më të dobëta për ekonominë, financat personale dhe blerjet e mëdha, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen janë rritur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit