Çdo fund muaji, pensionistët e Shqipërisë, shtresa më e margjinalizuar e shoqërisë, përballen me sfida të mëdha për të tërhequr pensionet e tyre nga Posta Shqiptare.
Të moshuarit, shumë prej tyre të sëmurë, pas një jete të tërë pune e sakrifice, bëjnë “vrap” drejt postës për të marrë një ndihmë të pamjaftueshme, ndërkohë që përballen me radhë të gjata dhe kushte të papërshtatshme.
Pensionistët, shtresa që meriton një shërbim dinjitoz dhe efikas, përballen me punonjësit e nervozuar të Postës, të cilët po ashtu ndikohen nga pagat e ulëta dhe metodat tradicionale të shpërndarjes së pensioneve dorë më dorë në një sistem që tregon mungesë modernizimi.
Në JOQ ALBANIA kanë mbërritur pamje që tregojnë gjendjen e pensionistëve në Postën Shqiptare duke pritur për të marrë pensionin. Edhe pse janë paraqitur në ambientet e postës që në orën 06:30, shumë prej tyre ende nuk kanë marrë pensionin pasi punonjëset punojnë me ritme të ngadalëta dhe fluksi sa vjen e shtohet.