Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e fshatit Novoselë, pjesë e Bashkisë Maliq. Përmes mesazhit dhe fotove, qytetarët denoncojnë gjendjen e mjerueshme të rrugës kryesore të fshatit, e cila për vite me radhë është lënë në mëshirë të fatit nga kryebashkiaku Gëzim Ali Topçiu, që ka qenë në këtë post që prej vitit 2000.
Sipas denoncuesve, rruga ishte në gjendje katastrofike, plot gropa dhe baltë, duke e bërë kalimin thuajse të pamundur. Banorët e indinjuar theksojnë se janë detyruar të mblidhen bashkë dhe, me paratë e tyre, të mbushin gropat dhe të shtrojnë rrugën, një përgjegjësi që normalisht i përket bashkisë.
“Ku shkojnë taksat tona që paguajmë çdo vit?” – është pyetja e fortë që ngritën banorët, të cilët ndihen të tradhtuar nga institucionet lokale. Ndërkohë, ata kanë dërguar pamje ku tregohet qartë gjendja e rrugës më parë dhe transformimi pas ndërhyrjes së vetë banorëve.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e buxhetit të Bashkisë Maliq dhe mbajtjen e premtimeve nga kryebashkiaku, i cili pas 25 vitesh në këtë detyrë, vijon të mos përmbushë detyrimet ndaj komunitetit.