Këshilli Kombëtar kundër Krimit të Organizuar i Suedisë, mbajti një konferencë shtypi pas takimit të jashtëzakonshëm për situatën.
“Duket se qartë se nuk e kontrollojmë dot valën e dhunës”, tha kryeministri Ulf Kristersson për gazetarët.
“Ky është problem i trashëguar i Suedisë dhe është lejuar të rritet për një kohë të gjatë”, shtoi Kristersson duke iu drejtuar atyre që shqetësohen nga dhuna e krimit, që ka përfshirë ndjeshëm jugun e kryeqytetit Stockholm.
Ndërsa si masa për luftën ndaj krimit, ai propozoi shtim mbikëqyrjes së qytetarëve, të kompetencave të policisë për përgjimin e të miturve, dhe krijimin e një grupi të veçantë reagues ndaj shpërthimeve.
Konferenca u mbajt një ditë pas vrasjes së Salwan Momika, provokatori iraken që u bë i famshëm me djegiet publike të librit të shenjtë musliman Kurani, i cili u vra në shtëpinë e tij teksa po transmetonte direkt në TikTok.
Kryeministri tha se vrasja e Momika nuk ndikon në situatën e krimit deri në zbulimin e autorit.
“Kemi përfshirë shërbimet e inteligjencës pasi mund të ketë rrezik përfshirjeje nga fuqi të huaja, por nuk ka ende prova për këtë,” tha Kristersson.
Siç raportohet dhuna në Suedi nxitet nga banda motoçikletash dhe trafikantësh si ‘Bandidos’ e ‘Foxtrot’, shumica me prejardhje emigrante.
Pas vitesh të tëra politikash pro-emigracionit, Kristersson tha se qeveria do të heqë qytetarinë e të dënuarve me qytetari të dyfishtë, e do të mendojë transferimin e të dënuarve për të kryer dënimin në burgje të huaja.
Çuditërisht vetëm për dy dekada Suedia është kthyer nga një prej vendeve më të sigurta në Evropë, në vendin që udhëeq për krime e vrasje me armë.
Periudha përkon me rritjen e konsiderueshme të emigracionit në vend.
Burgjet e Suedisë kanë aktualisht 11,000 vende por autoritetet parashikojnë se deri në 2033 do të ketë nevojë për të paktën 27,000.
Në vitin 2023, gjykatat suedeze dhanë dënime prej 200,000 muaj burg, që është dyfishi i dënimeve në 2014.
Vetëm në janar 2025 policia vendase ka regjistruar 30 shpërthime eksplozivi, të lidhur me bandat e gjobave e zhvatjes ndaj bizneseve dhe qytetarëve privatë.
Në një tjetër krahasim të vrazhdë, në vitin 1975 në Suedi u raportuan 421 raste përdhunimi, ndërsa deri në 2014 shifra ishte rritur në 6,620 shkruan rrjeti belg BrusselSignal.