Një 40-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, i cili akuzohet për dhunë seksuale, plagosje, rrëmbim, zhvatje, përndjekje dhe shpërndarje të videove seksuale të partneres së tij pasi e filmonte për persona të tjerë.
Sipas medieve italiane, partnerja e shqiptarit ishte paraqitur në komisariat ditët e fundit me mavijosje të dukshme në fytyrë, frakturë të gojës, me dhëmb të thyer dhe kishte raportuar para hetuesve se ishte dhunuar nga partneri.
Viktima, edhe pse kishte tentuar të ndahej nga partneri për shkak të dhunës dhe abuzimit me lëndët narkotike, pranoi ta takonte pas disa ditësh në hotel, ku ai e mbylli dhe e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale.
Bazuar në hetimet e kryera, viktima ishte e dhunuar prej kohësh nga partneri, i cili i kishte zhvatur 20 mijë euro. Gjithashtu rezultoi se ishte detyruar që të bënte video seksuale, që shqiptari t’ua shiste personave të tjerë.