Në Santorini dhe zonat përreth, aktiviteti sizmik i intensifikuar gjatë 24 orëve të fundit ka shqetësuar autoritetet dhe shkencëtarët. Mbi 200 lëkundje sizmike janë regjistruar, duke rritur ndjeshëm alarmet për mundësinë e një tërmeti të fuqishëm. Epiqendrat e këtyre lëkundjeve janë kryesisht në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, duke ngjallur shqetësime për rrezikun që mund të paraqesin për strukturat e ndërtuara.
Georgios Vougioukalakis, vullkanolog dhe studiues i Autoritetit Helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minierave, ka njoftuar se zona ka hyrë në një periudhë krizë sizmike, duke kërkuar masa të reja sigurie për ishujt fqinje si Amorgos, Anafi dhe Ios. Një nga masat kryesore është rekomandimi për zbrazjen e pishinave në Kalderë, pasi luhatja e ujit mund të ngarkojë strukturat dhe të rrisë rrezikun e shembjeve, sidomos në rast të një tërmeti të fortë.
Shkencëtarët po shqyrtojnë një skenar për një tërmet me magnitudë 6 ballë të shkallës Rihter, duke vlerësuar se kjo mundësi është më e mundshme për shkak të aktivitetit vullkanotektonik që ndodhi për shkak të thyerjes aktive nga Amorgos në Christiana. Megjithatë, sipas studiuesve, një tërmet i kësaj magnitude nuk pritet të shkaktojë dëme katastrofike. Objektet që janë ndërtuar në përputhje me standardet e rregulloreve antisizmike moderne janë të sigurta, ndërsa ndërtesat e vjetra mund të jenë më të cenueshme.
Edhe pse monitorimi i aktivitetit sizmik vazhdon, shkencëtarët sigurojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm të shpërthimit vullkanik. Vullkani i Santorinit është në një gjendje të lehtë ngacmimi, ndërsa vullkani Columbo konsiderohet joaktiv për momentin.