Qytetarë të Elbasanit shprehën sot zemërimin e tyre në redaksinë e JOQ, me pamje shokuese të rrugëve qendrore të kthyera në kantiere të hapura ndërtimi nga zyrtarët e bashkisë.
Ata komentojnë mbi gërmimet e asfaltit që bëjnë rrugët të pakalueshme për makinat e qytetarët, në atë që duket si një ‘fushatë izolimi’ nga autoritetet që vijon prej korrikut.
Ashtu si dhe në disa zona të kryeqytetit, rrugët qendrore në Elbasan janë çarë ose gërmuar pa kriter, duke shkaktuar trafik artificial dhe vështirësuar jetën e banorëve.
Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë dhe më të mjeruar gjendjen, duke shtuar baltë ndaj inerteve të braktisura nga bashkia e qytetit.
Denoncimi i qytetarit:
“Mirëmëngjes, kjo është pak për të treguar gjendjen e rrugëve në Elbasan. Në këtë gjëndje por edhe më keq është rruga nga Universiteti deri tek teatri Skampa, rruga përballë Stadiumit, kryqëzimi i Cerrikut, kryqëzimi 1 Maji. Makina që prishen se bien në gropa që janë bërë të thella edhe prej shirave, goma të çara. Rrezik për të ecur në këmbë, me biçikletë dhe me makinë. Ka që në korrik 2024 kjo gjendje”.
Raportuesi shton më tej:
“Punime jashtëzakonisht keq. Kanë hequr asfaltin edhe aty ku nuk ishte e nevojshme. Shkatërruan bulevardin kryesor që ishte me pllaka dhe i vendosën aq keq sa janë bërë gropat tani. Ka shumë për të thënë por po e le me kaq. Ju falenderoj po e publikuat. Qofshi mirë”.