Bojkot ndaj dyqaneve e marketeve edhe në Maqedoni të Veriut, përgjysmohet qarkullimi tregtar

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 01.02.2025, 18:17

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se, sipas të dhënave nga sistemi i regjistrimit të transaksioneve (GPRS), më 31 janar ka pasur një rënie të qarkullimit ditor prej 46.29 për qind në tetë rrjetet kryesore të supermarketeve, krahasuar me ditën paraprake.

DAP raportoi se të premten është regjistruar një qarkullim prej 114.293.367 denarësh (1.83 milion eurosh), ndërsa të enjten, më 30 janar, qarkullimi ishte 212.782.151 denarë (3.4 milionë euro).

“Sipas analizës krahasuese të të dhënave, më 31 janar 2025, krahasuar me 24 janar 2025, është regjistruar një rënie prej 46.59 për qind në qarkullimin total në tetë rrjetet më të mëdha të supermarketeve”, deklaruan nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

DAP njoftoi se do të vazhdojë me monitorime dhe analiza të tilla dhe do t’i publikojë të gjitha të dhënat që do të kenë ndikim në ekonominë e vendit.

Kjo rënie e qarkullimit lidhet me bojkotin e qytetarëve ndaj supermarketeve, në shenjë proteste kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

Gjatë të premtes, shumica e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut shmangën blerjet gjatë gjithë ditës në zinxhirët e mëdhenj të marketeve, ndërsa disa të tjerë kufizuan shpenzimet vetëm në produktet bazë.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha të shtunën se inspektorët po vazhdojnë kontrollet në të gjitha marketet kryesore në vend.

“Po, të gjithë kanë dalë në terren. Më shumë informacione do të ketë ditën e hënë. Mund të them se jemi pothuajse në të gjitha supermarketet kryesore dhe po bëhet një analizë e detajuar”, deklaroi Mickoski përpara gazetarëve.

Qeveria, gjithashtu, planifikon të ulë taksat parafiskale, që, sipas Mickoskit, do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve.

Nisma për bojkot nisi më 28 janar. Fillimisht, nisma u ndërmor në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50 për qind të shitjeve në të gjithë vendin.

Thirrje të ngjashme për bojkotin e supermarketeve më 31 janar u bënë edhe në Serbi, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Në Maqedoninë e Veriut, u shpërndanë pamflete me thirrje “Bojkoto marketet”, kurse në rrjetet sociale u krijuan grupe që u bënin thirrje qytetarëve që të mos blejnë produkte për të paktën një ditë.

Autoritetet në këtë vend shprehën mbështetje për bojkotimin e dyqaneve.

“Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që, viteve të fundit, kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

Në anën tjetër, nga opozita maqedonase dhe shqiptare akuzuan Qeverinë se është përgjegjëse për rregullimin e çmimeve.

“Te ne vërtet të shqetëson mosinteresimi dhe mosangazhimi i Qeverisë për të marrë masa. Madje me njëfarë cinizmi do të thosha, i mbështesin qytetarët të protestojnë, ndërsa në fakt protesta e qytetarëve, përveç për çmimet e larta dhe ndaj marketeve, duhet të jetë e drejtuar ndaj Qeverisë, sepse ajo është përgjegjëse për formimin e çmimeve“, tha Venko Filipçe, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë.

Nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkuan dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit