Një fenomen i ri dhe krejt i paparashikueshëm po trondit Shqipërinë: italianët nuk po i rezistojnë më tundimit për të lënë vendin e tyre dhe për të nisur një jetë të re këtu! Madje, sipas kryeministrit Edi Rama, ata po e marrin vetë në telefon për ta pyetur se si mund të vendosen në këtë parajsë kaq të begatë!
Me sa duket, italianët janë lodhur nga pagat e larta, shërbimi cilësor shëndetësor, pensionet dinjitoze dhe po ëndërrojnë të përjetojnë magjinë e Shqipërisë, ku një rrogë mesatare mjafton për të mbushur frigoriferin me... ëndrra. Nga apartamentet e tyre luksoze në Milano e Romë, ata kërkojnë të kalojnë në qetësinë që të ofron Paskuqani apo Kamza.
Sigurisht, e gjithë kjo është një rast i pastër ku realiteti dhe propaganda nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Por, s’ka problem! Le ta shijojmë këtë histori të bukur. Me pak fat, ndoshta vetë kryeministri do të hapë një call-center për të menaxhuar thirrjet e pafundme nga italianët që mezi presin të jetojnë ëndrrën shqiptare.