Zenan Lleshi, një shtetas shqiptar 59-vjeçar, është arrestuar nga policia britanike pasi u zbulua se ai kujdesej për më shumë se 100 bimë kanabisi në një banesë në Shelton. Lleshi tentoi të arratisej kur policia hyri me forcë në shtëpi, por u kap në përpjekje për t’u larguar nga dritarja e banjës.
Sipas prokurorit Matthew Ness, policia ndërhyri në një adresë në Castlefield Street më 27 nëntor, rreth orës 15:00, pasi mori njoftime për një erë të fortë kanabisi që dilte nga prona. Hetimet zbuluan prova të anashkalimit të energjisë elektrike dhe konfirmuan se banesa ishte shndërruar në një fabrikë kanabisi me 60 bimë në një dhomë gjumi dhe 52 në një tjetër. Papafingoja ishte përgatitur për kultivim, por nuk përmbante ende bimë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth 350 paund në stërlina, euro dhe monedha shqiptare. Lleshi, i cili nuk kishte një adresë fikse, pranoi fajësinë për prodhimin e një droge të klasit B. Ai kishte punuar fillimisht në ndërtim në Londër, por më pas u përfshi në rritjen e kanabisit.
Në gjykatën e Stoke-on-Trent Crown Court, gjykatësi Robert Smith e dënoi Lleshin me 16 muaj burg, një vendim që pritet të çojë në dëbimin e tij në Shqipëri. Gjatë seancës, gjykatësi vuri në dukje shkallën e organizimit të fermës së kanabisit, e cila përfshinte ndriçim hidroponik, transformatorë dhe kohëmatës.
Lleshi deklaroi se kishte mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në gusht 2022 me një varkë të vogël dhe se kishte një borxh prej 10,000 paund për të shlyer. Ai pranoi se ishte përfshirë në këtë aktivitet për të siguruar të ardhura, duke vepruar si një “ushtar këmbësor me pagesë” nën urdhërat e organizatorëve të fermës së kanabisit.