Në disa vende të Ballkanit, konsumatorët kanë nisur një bojkot të supermarketeve në shenjë proteste kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe përkeqësimit të krizës së kostos së jetesës. Kjo fushatë nisi për herë të parë në Kroaci të premten e kaluar dhe, falë vëmendjes së madhe në mediat sociale, është përhapur me shpejtësi në vendet e tjera të rajonit.
Konsumatorët në të gjithë Ballkanin iu bashkuan bojkotit të premten, duke refuzuar të blejnë në supermarketet si pjesë e kësaj lëvizjeje. Nisma filloi në Kroaci nga grupi i të drejtave të konsumatorëve “Halo, inspektore” dhe tashmë ka gjetur mbështetje edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, iu bashkua protestës duke deklaruar në një intervistë televizive se "si qytetar e mbështet një veprim të tillë." Ndërkohë, në Kroaci, në prag të bojkotit, qeveria vendosi të zgjerojë listën e produkteve bazë me çmime të kufizuara, duke shtuar 40 artikuj të rinj, përfshirë disa lloje djathrash, kafeje dhe produkte të domosdoshme shtëpiake, si sapuni.
Ministri kroat i Ekonomisë, Ante Šušnjar, deklaroi se masa synon të mbrojë grupet më të cenueshme të qytetarëve. Sipas autoriteteve tatimore kroate, efekti i bojkotit ishte i ndjeshëm, me transaksionet në supermarkete që ranë me 44% dhe shitjet totale që shënuan një rënie prej 53% të premten e kaluar.