Gjykata e Apelit në Romë merr vendimin, rikthen në Itali emigrantët e transferuar në Gjadër

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.01.2025, 21:58

Gjykata e Apelit në Romë ka vendosur të mos miratojë ndalimin e 43 shtetasve të huaj të strehuar në qendrat e ngritura nga Italia në Shqipëri.

Vendimi është përcjellë për shqyrtim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Për pasojë, azilkërkuesit nga Bangladeshi dhe Egjipti do të dërgohen në Itali dhe do të lirohen nga ndalimi aktual në Shqipëri. Gjyqtarët pezulluan vendimet që i mbanin ata në qendrën e pritjes në Gjadër, ndërsa çështja mbetet në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata evropiane mbi sigurinë e vendeve të tretë.

Transferimi i emigrantëve drejt Italisë pritet të ndodhë nesër në mëngjes, me shumë mundësi në bordin e një anijeje të Rojës Bregdetare.

Vendimi i gjykatës vjen në vijim të precedentëve të mëparshëm, ku ndalime të ngjashme nuk janë miratuar për azilkërkues të transferuar në Shqipëri. Në rastin e fundit, gjykata konfirmoi se ndalimi i tyre nuk përputhej me vendimet e mëparshme të seksionit të specializuar për emigracion pranë gjykatës së Romës.

Me këtë zhvillim, emigrantët do të rikthehen në Itali, duke pritur një vendim përfundimtar që pritet të ndikojë në trajtimin e rasteve të tjera të ngjashme në të ardhmen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit